Kurbin
Finalizohet operacioni policor të koduar “FOUR”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Me katër emra të ndryshëm për ti shpëtuar Policisë pasi ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, kapet dhe vihet në pranga në Laç, Kurbin 53-vjeçari
Operacioni për kapjen e këtij shtetasi u zhvilluan dhe finalizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponja”, të DVP Lezhë.
Në kuadër të kontrolleve të shtuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë , si dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për një shtetas të kërkuar i cili lëvizte me gjeneralitete të ndryshme për t’ju shmangur Policisë, shërbimet Komisariatit të Policisë Kurbin në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponja”, të DVP Lezhë, finalizuan operacionin policor të koduar “FOUR”.
Në kuadër të këtij operacioni falë veprimeve të shpejta dhe të koordinuara, në Laç u bë kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimi i shtetasit K. M., 53-vjeç alias E. P., alias E. M., alias L. Ll.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, pasi Gjykata e apelit në Firenze, e ka dënuar me 7 vite e 4 muaj e 8 ditë burg për veprat penale “Dhunë Seksuale” dhe “Emigracioni i paligjshëm”, të parashikuara nga Kodi Penal Italian.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.