Kurbin – Finalizohet operacioni i koduar “Excavation”

Kurbin/Vijojnë kontrollet për të parandaluar, konstatuar dhe goditur krimet kundër mjedisit.

Finalizohet operacioni i koduar “Excavation”, i zhvilluar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Lezhë, në bashkëpunim me specialistët e IKMT, Lezhë.

Sekuestrohen 1 kamion dhe 1 ekskavator me të cilët gërryhej në afërsi të grykëderdhjes së lumit Mat dhe transportoheshin dherat e përfituara në kundërshtim me ligjin.

Arrestohet në flagrancë administratori i biznesit për llogari të të cilit punonin mjetet e rënda. Gjithashtu, për këtë veprimtari të kundërligjshme, ai u ndëshkua me masë administrative 2 000 000 lekë.

Si rezultat i kontrolleve dhe patrullimeve 24/7, të mbështetura të puna e inteligjencës policore dhe që kryhen në të gjithë territorin e rrethit, me fokus parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Lezhë, në bashkëpunim me specialistët e IKMT, Lezhë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Excavation”.

Në afërsi të grykëderdhjes së lumit Mat, shërbimet e Policisë konstatuan se 2 mjete të rënda, ekskavator dhe kamion, punonin për marrjen e dherave në këtë zonë, në kundërshtim me ligjin.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u identifikua dhe u vu në pranga administratori i subjektit për llogari të të cilit punonin mjetet e rënda, shtetasi F. F., 38 vjeç, banues në Lezhë. Gjithashtu, për këtë shkelje, 38-vjeçari u ndëshkua me masë administrative 2 000 000 lekë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit apelon për të gjitha subjektet, që kryejnë aktivitet ekonomik që lidhet me mjedisin, ta kryejnë sipas kritereve të përcaktuara në dispozitat ligjore dhe në lejet përkatëse. Në çdo rast të konstatimit të shkeljes së këtyre akteve, do t’iu sekuestrohen mjetet dhe do t’iu ndalohet vijimi i kësaj veprimtarie.