Kapet në Laç dhe arrestohet, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, 35-vjeçari i dënuar me 12 vite burgim, si pjesëtar i një organizate me aktivitet kriminal në fushën e narkotikëve.
Shërbimet e DVP Lezhë, ato të Policisë së Kurbinit dhe të Interpol Tiranës, të mbështetur nga inteligjenca informative mbi vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar ndërkombëtarisht, si dhe në vijim të punës për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Torino”, si rezultat i të cilit u kap në Laç dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin, shtetasi:
- Valentin Lleshi, 35 vjeç, banues në Kurbin, pasi Gjykata e Apelit e Torinos, Itali, e ka dënuar me 12 vite burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, në formën e organizatës kriminale, parashikuar nga Kodi Penal italian. 35-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur edhe 10 vjet burgim.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Roma dhe agjencitë ligjzbatuese, vijon procedurat për ekstradimin e 35-vjeçarit drejt Italisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.