Kukës
I dhanë ndihmë një 25-vjeçari, për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin, nga Kukësi në Francë, me destinacion final Britaninë e Madhe, vihen në pranga 2 shtetas.
25-vjeçari mbahet peng në Francë, nga disa shtetas nga Vendet e Treta, të cilët kërkojnë një shumë parash për ta liruar.
Policia e Shtetit, nëpërmjet Interpol Tiranës, po bashkëpunon ngushtësisht me Interpol Lionin, në Francë, me qëllim identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e autorëve që mbajnë peng 25-vjeçarin.
Shërbimet e DVP Kukës, në drejtimin e Prokurorisë, nisur nga kallëzimi i bërë nga një shtetas, se vëllai i tij, shtetasi A. S., është marrë peng në Francë, nga shtetas që transportojnë emigrantë në mënyrë ilegale, dhe se ata kanë kërkuar 24 000 paund për ta liruar, bazuar dhe në inteligjencën policore, kanë organizuar për dokumentimin e këtij rasti.
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera në kuadër të operacionit “Garanti”, u bë ndalimi i shtetasve: Sh. H., 26 vjeç, banues në fshatin Muholaj dhe A. E., 31 vjeç, banues në Kukës, për veprën “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.
Këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë ndihmuar shtetasin A. S., 25 vjeç, banues në Kukës, për të kaluar në mënyrën të paligjshme kufirin nga Kukësi në Belgjikë dhe më pas në Francë, me destinacion final Britaninë e Madhe.
Në bashkëpunim me Interpolin dhe oficerin e kontaktit në Francë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast.
Strukturat hetimore të DVP Kukës, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale dhe Interpol Tiranën, në drejtimin e Prokurorisë, po punojnë ngushtësisht me Policinë franceze dhe me Interpol Lionin, për identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për të dokumentuar nëse 2 shtetasit e arrestuar në Kukës, që ndihmuan shtetasin A. S., për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin, nga Shqipëria në Francë, kanë bashkëpunuar apo jo me shtetasit që kanë marrë peng 25-vjeçarin, në Francë.