Kukës/Kontrolle të shtuara nga Policia, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit.
U kap duke transportuar me furgon, dru për zjarr, të prerë në mënyrë të kundërligjshme, procedohet penalisht 50-vjeçari.
Sekuestrohen furgoni dhe 3 m3 dru për zjarr.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës, në vijim të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit, në vendin e quajtur “Ura gjashtmetroshe”, kapën shtetasin S. K., teksa transportonte me furgon, 3 m3 dru për zjarr, që dyshohet se ishin prerë në kundërshtim me ligjin, pasi ishin pa dokumentacionin përkatës.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. K., 50 vjeç, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, si dhe u sekuestruan lënda drusore dhe furgoni që drejtonte 50-vjeçari.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Kukës apelon për të gjithë qytetarët që të mos implikohen në veprimtari të kundërligjshme në dëm të mjedisit: si prerje të paligjshme të drurëve, ndërtime pa leje, marrje të kundërligjshme të inerteve, shpërdorim të tokës, ndotje të saj, të ujërave apo të ajrit, pasi kontrollet vijojnë pandërprerë edhe gjatë natës, dhe çdo tentativë do të konstatohet dhe do të goditet me forcën e ligjit.