Kukës/Kontrolle intensive nga shërbimet e DVP Kukës, për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
U kap duke transportuar kundrejt fitimit, shtetas të huaj që do të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme, vihet në pranga 32-vjeçari.
Strukturat e DVP Kukës, në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit të paligjshëm të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, goditën një rast të kësaj veprimtarie kriminale. Si rezultat u arrestua në flagrancë shtetasi:
– F. M., 32 vjeç, banues në fshatin Oreshkë, Kukës.
Ky shtetas është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, duke transportuar kundrejt fitimit, me automjetin tip “Kia”, 2 emigrantë, që do të kalonin në mënyrë të paligjshme, nëpërmjet kufirit të gjelbër, drejt Kosovës dhe më pas në vendet e BE-së.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.