Kukës – Siguria Rrugore, një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit për vitin 2020

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, për rritjen e parametrave të Sigurisë Rrugore gjatë vitit 2020, do të përqendrohen në kontrollin e zbatimit të ligjit në fushën e qarkullimit rrugor, nga të gjithë përdoruesit e rrugës.

Në fokus të punës së strukturave të policisë do të jetë parandalimi i shkeljeve të rregullave të qarkullimit që përbëjnë risk për aksidentet rrugore, siç janë:

– Shpejtësia tej normave të lejuara.
– Drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit.
– Drejtimi i mjetit pa dëshmi aftësie.

Disa nga masat më konkrete për parandalimin e këtyre shkeljeve janë:

– Organizimi dhe kryerja e kontrolleve të befasishme në trafik, në qendrat urbane dhe akset e tjera rrugore.

– Aplikimi i “Tolerancës Zero” ndaj drejtuesve të mjeteve, në rastet e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor.

Krahas këtyre masave kemi filluar bashkëpunimin me shkollat 9-vjeçare, me qëllim edukimin e nxënësve me rregullat e qarkullimit rrugor, nëpërmjet zhvillimit të orëve mësimore.

Gjatë muajit shkurt 2020, në disa shkolla 9-vjeçare janë zhvilluar orë mësimore për rregullat e qarkullimit rrugor.

Programi mësimor me nxënësit e shkollave do të vijojë të zhvillohet dhe në javët e muajt në vijim.

Si rezultat i zbatimit të këtyre masave, nga ana e strukturave të Policisë Rrugore në DVP Kukës, gjatë periudhës janar – shkurt 2020 në Qarkun e Kukësit nuk ka ndodhur asnjë aksident rrugor me pasoja për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Por theksojmë se Siguria Rrugore është përgjegjësi e çdo personi dhe të gjithë duhet të shohim se çfarë ne vetë mund të bëjmë për të ndikuar në familjet tona, kolegët dhe bashkëpunëtorët për të adoptuar mënyra të sigurta të sjelljeve në rrugë.

Disa rregulla që duhet të zbatohen nga çdo drejtues mjeti, për parandalimin e aksidenteve rrugore, janë:
• Të kontrollojë sistemet e frenimit dhe gjendjen teknike të mjetit para se të nisë udhëtimin.
• Të vendosë rripin e sigurimit gjithmonë përpara se të drejtojë mjetin.
• Të mos përdorë alkool apo substanca të tjera narkotike.
• Të zbatojë normat e sjelljes në rrugë.
• Të respektojë sinjalistikën rrugore.
• Të mos kryejë asnjë lloj manovre që sjell aksidente në rrugë.
• Të jetë i vetëdijshëm kur drejton mjetin.
• Të ruajë shpejtësinë dhe të rrisë shkallën e reagimit.
• Të ruajë distancën nga mjeti në mjet.
• Të mos parakalojë mjetet e tjera kur kjo manovër nuk realizohet në bazë të shpejtësisë, fushëpamjes dhe distancës nga mjeti në mjet.
• Të ketë parasysh përbërjen e rrugës dhe masat që duhen të marrë kur kalon në rrugë me rrezikshmëri të lartë.

Respektimi dhe zbatimi i kërkesave të Kodit Rrugor nga të gjithë, pra një siguri rrugore më e madhe është sfida jonë e përbashkët.