Procedohen 3 shtetas, për veprat penale “Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Sekuestrohen 3 tonë e 519 kilogramë kafe.
Drejtoria Vendore e Policisë Kukës nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, në kuadër të procedimit penal të nisur më parë për kontrabandimin e mallrave që paguhet akcizë, kanë organizuar punën dhe ushtruar kontroll në dy subjekte tregtare.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në ambientet në pronësi të shtetasit M.B., të marrë në përdorim nga shtetasi D. J., u gjetën dhe u sekuestruan 123 kilogramë kafe, të ndara në paketime, me mbishkrime të ndryshme.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në magazinën e shtetasit Q.B., gjetën dhe sekuestruan 2 tonë e 280 kilogramë kafe e pa përpunuar (kokërr) dhe 1 tonë e 116 kilogramë kafe, të ndara në paketime me mbishkrime të ndryshme.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, proceduan shtetasit D. J., Q.B., dhe M. B., për veprat penale “Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Vijojnë hetimet nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.