Kukës/Parkuan automjetet në mënyrë të parregullt, procedohen penalisht 2 shtetas

Kukës

Parkuan automjetet në mënyrë të parregullt dhe nuk iu bindën urdhrave të punonjësve të Policisë, për të paraqitur dokumentacionin e mjeteve, procedohen penalisht 2 shtetas.

Shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Kukës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës, në vijim të kontrolleve për evidentimin e parkimeve të parregullta që pengojnë qarkullimin normal të mjeteve dhe të qytetarëve, në qytetin e Kukësit, konstatuan 2 automjete të parkuara në mënyrë të parregullt, që ishin bërë pengesë për lëvizjen e përdoruesve të rrugës.

Gjatë veprimeve policore, drejtuesit e automjeteve, shtetasit A. H., 41 vjeç, banues në Pobreg, dhe Q. I., 47 vjeç, rezident në Londër, nuk iu janë bindur urdhrave të punonjësve të Policisë, për të paraqitur dokumentacionin.

Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal ndaj tyre, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

️Drejtoria Vendore e Policisë Kukës apelon ndaj drejtuesve të mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të shmangin çdo veprim që pengon lëvizjen e lirë të mjeteve dhe këmbësorëve. Parkimet e gabuara, veçanërisht në trotuare apo rrugëkalime, do të përballen me masa të menjëhershme penale dhe administrative.