Kukës/Identifikohet dhe procedohet penalisht autori i dyshuar i një rasti zjarrvënieje në fshatin Ujmishtë

DVP Kukës

Identifikohet dhe procedohet penalisht autori i dyshuar i një rasti zjarrvënieje në fshatin Ujmishtë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës, si rezultat i hetimeve të kryera për një rast zjarrvënieje, në fshatin Ujmisht, identifikuan autorin e dyshuar të këtij rasti, shtetasin L. K., 54 vjeç, banues në Lusën, për të cilin u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ka ndezur zjarr për të djegur shkurre dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, është djegur një sipërfaqe me bimësi.

Drejtoria Vendore e Policisë Kukës apelon për të gjithë qytetarët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre me qëllim apo nga pakujdesia, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale dhe të paligjshmërive në tërësi, dhe iu garanton anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.

Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin J. S., 29 vjeç, pasi u konstatua duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tropojë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. P., 39 vjeç, banues në fshatin Mserr, pasi ka kallëzuar shtetasi V. P., se 39-vjeçari e ka kanosur me fjalë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.