Kuçovë/Punë hetimore intensive për të parandaluar vjedhjet dhe për të zbardhur ato të kryera më parë.
Vodhën gjatë 4 ditëve të fundit, pajisje dhe mjete, në të njëjtën banesë, arrestohet 37-vjeçari dhe vijon puna për kapjen e bashkëpunëtorit të tij.
Sekuestrohen pajisjet e vjedhura.
Si rezultat i hetimeve të kryera, për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, autorët e vjedhjeve të kryera gjatë ditëve të fundit, në një banesë aktualisht të pabanuar, në Kuçovë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë, në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, kapën dhe vunë në pranga shtetasin A. S., 37 vjeç, si dhe shpallën në kërkim shtetasin V. N., 29 vjeç, të dy banues në Kuçovë.
Këta shtetas dyshohet se gjatë periudhës 19.01.2024-22.01.2024, kanë vjedhur në këtë banesë, mjete për punë dhe 2 pajisje elektroshtëpiake, të cilat u sekuestruan nga shërbimet e Policisë.
Vijon puna për kapjen e 29-vjeçarit, si dhe për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.