Krujë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës – Kavajë), nën drejtimin e Prokurorisë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Bashkëpunimi”, arrestuan në flagrancë shtetasin E. L., 28 vjeç, me detyrë trupë shërbimi/patrullë e përgjithshme në Komisariatin e Policisë Fushë-Krujë, si dhe shpallën në kërkim vëllain e tij, shtetasin Ç. L., 36 vjeç.
Këta shtetas dyshohen se janë autorë të kultivimit të 65 bimëve narkotike, të dyshuara të llojit Cannabis Sativa, në dy parcela të ndodhura në një zonë pyjore të njësisë administrative Cudhi, Krujë.
Gjatë kontrollit fizik dhe atij të ushtruar në banesën e 28-vjeçarit, u gjetën dhe u sekuestruan dy armë zjarri, njëra prej të cilave pa leje, si dhe një sasi municioni luftarak.
Vijon puna për kapjen e 36-vjeçarit dhe për dokumentimin e plotë të rastit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.