Krujë/Kontrolle intensive në zbatim të planit operacional “Koordinata”, gjenden 212 fidanë kanabisi

Krujë/Kontrolle intensive në zbatim të planit operacional “Koordinata”, për evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike.

Goditet një rast i kësaj veprimtarie kriminale, në fshatin Borizanë. Gjenden dhe asgjësohen 212 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa.

Vihen në pranga 2 autorët e dyshuar të këtij rasti, të cilët u kapën në flagrancë në vendin ku kishin mbjellë fidanët.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në zbatim të planit operacional të koduar “Koordinata”, kanë intensifikuar kontrollet në territore të hapura të rrethit të Krujës, duke përdorur dhe dronë, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.

Si rezultat i kontrolleve, në fshatin Borizanë, Krujë, u gjetën të kultivuar 212 fidanë të dyshuar narkotike cannabis sativa.

Gjithashtu, u kapën në flagrancë shtetasit F. F., 25 vjeç dhe K. F., 21 vjeç(kushërinj), banues në Borizanë, të cilët u arrestuan si autorë të dyshuar.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një pjesë e vogël e fidanëve narkotikë, një sasi e vogël kanabisi, 1 aparat celular dhe automjeti që këta shtetas përdornin për të shkuar në vendin ku kishin kultivuar fidanët narkotikë.

Kontrollet do të vijojnë në të gjithë territorin e rrethit Krujë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.