Krujë – Evidentohet dhe goditet një tjetër rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike.

Arrestohet pronari i banesës ku u evidentuan të kultivuara disa bimë narkotike, si dhe procedohen penalisht bashkëshortja e pronarit të banesës dhe kryeplaku i fshatit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të kontrollit të pandërprerë të territorit, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e atyre personave që tentojnë të kultivojnë bimë narkotike, kanë konstatuar të kultivuara në fshatin Zall, Krujë, përreth një banese , bimë narkotike cannabis sativa.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, arrestuan në flagrancë shtetasin:

A.K., 52 vjeç, dhe proceduan penalisht bashkëshorten e tij, shtetasen I.K., për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike kryer në bashkëpunim”.

Gjithashtu u procedua penalisht edhe shtetasi I.S., 43 vjeç, më detyrë kryeplak i fshatit Zall, Krujë, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Krujë, për veprime të mëtejshme.