Krujë/Kontrolle në lokale dhe në ambiente të ndryshme, në territorin e rrethit Krujë, bazuar në inteligjencën informative, me qëllim evidentimin dhe goditjen e organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Kontrollet, në kuadër të operacionit “Fundi i lojërave”. Evidentohen dhe goditen 2 raste.
Kishte përshtatur lokalin e tij, për ushtrim të paligjshëm të lojërave të fatit, vihet në pranga 33-vjeçari. Sekuestrohen 2 makineta, tavolinë dhe çipsa, për lojën e pokerit.
Gjithashtu, gjatë kontrolleve arrestohet në flagrancë dhe një 30-vjeçar, pasi në lokalin e tij, ushtronte aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit (baste sportive). Sekuestrohet 1 aparat celular.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fundi i lojërave”, mbështetur dhe nga inteligjenca informative, kanë vijuar kontrollet në lokale dhe në ambiente të tjera në të cilat dyshohet se organizohen lojëra fati në kundërshtim me ligjin.
Si rezultat, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë arrestuan në flagrancë shtetasit:
-G. H., 30 vjeç dhe G. M., 33 vjeç, banues në Krujë dhe në Lezhë, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.
Shtetasi G. M. u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në lokalin që administronte, të cilin e kishte përshtatur për lojëra fati. U sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 makineta për lojëra fati, tavolinë dhe çipsa për lojën e pokerit, të cilat u gjetën në këtë lokal.
G. H., 30 vjeç, pasi u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në lokalin që administronte, duke vënë baste sportive, me aparat celular, i cili sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.