Korçë – Vodhën me dhunë 2 shtetas të huaj, falë ndërhyrjes së shpejtë të Policisë kapen dhe arrestohen në flagrancë 4 autorët e dyshuar të ngjarjes

Zbulohen dhe dokumentohen edhe 2 vjedhje të tjera me dhunë ndaj të huajve, autorë të dyshuar të të cilave dyshohet të jenë këta shtetas.

 Sekuestrohen disa celularë të vjedhur.

 Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, gjatë patrullimit të tyre kanë konstatuar në qytetin e Korçës, dy shtetas të huaj të cilët i kanë kërkuar ndihmë punonjësve të Policisë, pasi disa shtetas që iu kishin premtuar kundrejt fitimit transportimin drejt Tiranës, i kishin kanosur këta të fundit dhe pasi i kishin dhunuar fizikisht iu kishin vjedhur 3 aparate celulari, 350 euro, si edhe çantat e tyre personale.

 Falë veprimeve të shpejta, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje konkretisht shtetasve:

 • M. R., 19 vjeç, banues në Korçë;

 • K. D., 20 vjeç, banues në fshatin Vithkuq, Korçë;

 • A. G., 19 vjeç, banues në fshatin Vithkuq, Korçë;

 • K. I., 19 vjeç, banues në Korçë;

 Në vijim të hetimeve të kryera nga ana e specialistëve për hetimin e krimit, dyshohet se shtetasit e mësipërm janë autorë të dyshuar edhe të dy ngjarjeve të tjera të ndodhura në qytetin e Korçës, gjatë muajit dhjetor, ku kanë vjedhur me dhunë 4 shtetas të huaj, të cilëve iu kanë marrë 4 aparate celulare dhe shumën prej 440 euro.

 Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës të Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë, kryer në bashkëpunim”.