Korçë/Vijon operacioni policor “Basti i fundit”, goditen 3 raste të tjera të organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit dhe informalitetit.
U kapën duke organizuar lojëra fati (bixhoz me zare), në një lokal të paregjistruar, në hetim 4 shtetas.
Procedohen penalisht edhe 2 pronarë lokalesh, pasi u evidentuan duke vënë baste sportive, me celular.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të operacionit policor të koduar “Basti i fundit”, për goditjen e informalitetit dhe organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, kanë vijuar kontrollet në ambiente të ndryshme, në qarkun e Korçës, dhe si rezultat, kanë goditur 3 raste të këtyre paligjshmërive, konkretisht:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit: E. I., 52 vjeç; J. M., 46 vjeç; N. P., 50 vjeç dhe E. D., 37 vjeç, banues në Korçë dhe në fshatin Barç, Korçë. Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia në lagjen nr. 18, Korçë, në lokalin në pronësi të shtetasit E. I., rezultoi se ky shtetas e ushtronte aktivitetin pa dokumentacionin përkatës dhe pa kasë fiskale. Në këtë ambient, u konstatuan edhe shtetasit J. M., N. P. dhe E. D., duke luajtur bixhoz me zare.
Gjithashtu po nga këta specialistë u referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit O. M., 39 vjeç dhe D. B., 34 vjeç, banues në Korçë, pasi gjatë kontrolleve të ushtruara në lagjet nr. 7 dhe 10, Korçë, në lokalet në pronësi të tyre, iu gjetën dhe iu sekuestruan secilit, nga 1 aparat celular, të cilët dyshohet se shërbenin për vendosjen e basteve sportive.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”; “Fshehja e të ardhurave” dhe “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”.