Korçë
Vihen në pranga tre shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, bënë ndalimin e shtetases në kërkim Alma Rakipi, 45 vjeçe, banuese në Korçë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin e datës 17.03.2021, e ka dënuar këtë shtetase me 3 vjet burg për veprën penale “Mashtrimi”.
——————
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur një ditë më parë, në afërsi të një kompleksi në Malin e Moravës, Korçë, ku u plagos me sende të mprehta e të forta shtetasi S. M., 68 vjeç, banues në Korçë, ju informojmë se:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë për veprat penale “Kanosja” dhe “Armëmbajtja pa leje” të djalit të tij shtetasit E. M., 33 vjeç, banues në Korçë.
Nga deklarimet e marra dhe nga këqyrja e pamjeve filmike rezulton se, shtetasi E. M., gjatë një konflikti për motive të dobëta me shtetasin A. R., 26 vjeç, banues në Tiranë, e ka kanosur këtë të fundit me një send, në dukje si armë zjarri tip pistoletë. Shtetasi A. R., më pas ka plagosur me sende të mprehta e të forta, babain e 33-vjeçarit, shtetasin S. M., i cili ka qenë i pranishëm në vendngjarje dhe aktualisht ndodhet në Spitalin e Korçës, në gjendje të rëndë shëndetësore. Gjatë këtij konflikti ka marrë dëmtime të lehta edhe shtetasi E. M., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shtetasi A. R., u arrestua në flagrancë nga Policia menjëherë pas ngjarjes së ndodhur për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
Materialet në ngarkim të shtetasve E. M dhe A. R., i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për hetime të mëtejshme.
————–
Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit B. M., 43 vjeç, banues në fshatin Vloçisht, Maliq, pasi në lagjen nr. 7, Korçë, ky shtetas duke drejtuar mjetin tip “Ford”, ka aksidentuar shtetasen P. Q., 27 vjeçe, banuese në Korçë, këmbësore në rrugë.
Drejtuesi i mjetit u largua nga vendi i aksidentit, por u kap menjëherë nga shërbimet e policisë, ndërsa 27-vjeçarja pas mjekimit të marrë në Spital, u largua në banesë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.