Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në dalje të Republikës së Shqipërisë, bënë ndalimin e shtetases në kërkim A. P., 30 vjeçe, banuese në Fier, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin e datës 15.01.2021, e ka dënuar këtë shtetase me 3 muaj burg për veprën penale “Prostitucioni”.
Veprimet e mëtejshme procedurale u kryen nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë.
—
Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban pranë DVP Korçë bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, të shtetasit D. G., 24 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr. 17, Korçë, ky shtetas u kap duke drejtuar mjetin tip “Opel”, pa leje drejtimi.
—
Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë u referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal për veprën “Plagosja e lehtë me dashje”, për shtetasin B. M., 47 vjeç, banues në fshatin Kamenicë, Korçë, pasi në këtë fshat dyshohet se ka goditur me sende të forta në trup shtetasin H. B., 34 vjeç, banues në Kamenicë.
—
Në vijim të operacionit policor të koduar “Basti i fundit”, për goditjen e aktivitetit të paligjshëm në fushën e organizimit të lojërave të palejuara të fatit, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për veprën “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, për shtetasit B. K., 42 vjeç dhe A. J., 24 vjeç, banues në fshatin Bulgarec, Korçë.
Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se shtetasit e mësipërm ushtronin këtë veprimtari të kundërligjshme në fshatin Bulgarec, shërbimet e Policisë kanë organizuar punën për dokumentimin e kësaj veprimtarie. Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasve B. K. dhe A. J., shërbimet e Policisë i gjetën dhe i sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, nga një telefon celular, që dyshohet se përdoreshin për vënien e basteve sportive.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.