Korçë – RENEA neutralizon dhe vë në pranga 71-vjeçarin që qëlloi me armë zjarri, në ajër, nga ballkoni i banesës së tij

Korçë

RENEA neutralizon dhe vë në pranga 71-vjeçarin që qëlloi me armë zjarri, në ajër, nga ballkoni i banesës së tij.

Sekuestrohet arma e zjarrit kallashnikov, me krehër me municion luftarak.

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e sotme, i cili bën fjalë për ngjarjen e ndodhur në lagjen nr. 16, ku shtetasi E. N., 71 vjeç, me probleme të shëndetit mendor, qëlloi me armë zjarri, në ajër, nga ballkoni i banesës së tij, ju bëjmë me dije se:

Me mbërritjen e njësive speciale RENEA, është krijuar perimetri i afërt i sigurisë, si dhe është negociuar me 71-vjeçarin, për t’u dorëzuar. Pas negociatave, 71-vjeçari është dorëzuar dhe më pas është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Korçë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Gjatë kontrollit në banesën e tij është gjetur arma e zjarrit kallashnikov, me krehër me municion luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e rrethanave të këtij rasti.