Korçë/Kreu parakalim të gabuar, ndëshkohet me masë administrative, drejtuesi i automjetit

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

 Kreu parakalim të gabuar, ndëshkohet me gjobë dhe me zbritje pikësh nga leja e drejtimit, drejtuesi i automjetit.

Pas publikimit të një videoje në faqen “Aksidente Rrugore”, ku shfaqet një automjet duke kryer parakalim të gabuar në aksi rrugor “Korçë-Pogradec” shërbimet e Policisë Rrugore të Korçës kanë kryer verifikimet për rastin.

Nga verifikimi u identifikua drejtuesi i automjetit, shtetasi G. M., banues në Devoll. Në zbatim të pikës 10 të nenit 141 dhe pikës 1 të nenit 127, të Kodit Rrugor, drejtuesi i automjetit u gjobit me vlerën 12 000 lekë, si dhe iu zbritën 10 pikë nga leja e drejtimit.

Policia Rrugore e Korçës falënderon qytetarët dhe median për kontributin në evidentimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor dhe i fton ata të vijojnë të denoncojnë raste të tilla, pasi reagimi do të jetë i menjëhershëm, i paanshëm dhe në përputhje me ligjin.