Korçë
Identifikohen 3 autorët e dyshuar të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në lagjen nr. 12, Korçë, ku gjatë një konflikti për motive të dobëta u dëmtua me mjete të forta, një shtetas i mitur.
Vihen në pranga 2 prej autorëve, tjetri shpallet në kërkim.
Sekuestrohen tre shkopinj që janë përdorur nga autorët e dyshuar, gjatë konfliktit për motive të dobëta.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, pas një pune intensive hetimore për ngjarjen e ndodhur më datë 08.10.2023, në lagjen nr. 12, Korçë, ku gjatë një konflikti për motive të dobëta, u dëmtua me mjete të forta, një 14-vjeçar, bënë të mundur identifikimin e 3 autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, 2 prej të cilëve janë shoqëruar dhe pyetur në praninë e psikologut, ndërsa tjetri është shpallur në kërkim.
Në vijim të veprimeve, u bë ndalimi i shtetasve A. E., 17 vjeç dhe Dh. F., 15 vjeç, banues në Korçë, si dhe u shpall në kërkim shtetasi L. L., 16 vjeç, banues në Korçë.
Nga veprimet hetimore të kryera dhe nga provat e siguruara rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë konfliktit, kanë goditur me sende të forta 14-vjeçarin, i cili aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë, në kujdesin e mjekëve.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan tre shkopinj (dy prej druri dhe njëri metalik), të cilët dyshohet të jenë përdorur nga autorët e ngjarjes, gjatë konfliktit.
Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.