Korçë – Goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje

Arrestohet në flagrancë 28-vjeçari, i cili qarkullonte me armë zjarri në brez.

Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë dhe municion luftarak.

Në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë, si edhe në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se një shtetas qarkullonte me armë zjarri, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, kanë lokalizuar në lagjen nr.17, shtetasin I.Q, 28 vjeç dhe kanë ushtruar kontroll ndaj tij dhe automjetit që drejtonte, tip “Mercedes Benz”. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj 28-vjeçarit, Policia i gjeti në brez, një armë zjarri pistoletë me fishekë, të cilat i posedonte pa lejen e organeve përkatëse.

Shtetasi I.Q, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese e municionit” dhe materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë.