Korçë/Goditet një tjetër rast i tentativës së trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Finalizohet operacioni antidrogë i koduar “Restart 16”. Sekuestrohen 52.6 kg lëndë narkotike kanabis.
Vihet në pranga 45-vjeçari, poseduesi i lëndës narkotike, i cili dyshohet se do trafikonte këtë sasi me automjetin e tij.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Restart 16”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– K. K., 45 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec.
Në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative se shtetasi i mësipërm do të trafikonte me automjetin e tij një sasi droge, forcat e Policisë organizuan punën dhe bënë lokalizimin e 45-vjeçarit në fshatin Vërdovë. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij tip “Benz”, të cilin e kishte parkuar në oborrin e banesës, u gjetën 2 qese me 52.6 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis në total.
Nga veprimet hetimore rezultoi se 45-vjeçari e kishte siguruar lëndën narkotike nga shtetas të tjerë dhe më pas do ta trafikonte me automjetin e tij, në drejtim të Maqedonisë së Veriut, me destinacion final shtetin grek, kundrejt fitimit 500 euro/kg.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike, automjeti dhe një aparat celular.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtij rasti dhe për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.