Korçë
Finalizohet operacioni antidrogë i koduar “Pusteci”.
Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Korçë, Policia Kufitare dhe shërbimet e Frontex-it, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme Operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Sekuestrohen 21 kg e 500 gr. lëndë e dyshuar narkotike kanabis.
Vihen në pranga 2 shtetasit që u kapën duke tentuar ta trafikonin lëndën narkotike nëpërmjet kufirit të gjelbër me Greqinë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Korçë, Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit Korçë dhe shërbimet e Frontex-it, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme Operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike, si rezultat i informacioneve të siguruara në rrugë policore dhe koordinimit të veprimeve, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Pusteci”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
R. N., 41 vjeç, banues në fshatin Vithkuq, Korçë dhe I. M., 54 vjeç, banues në fshatin Pojan, Maliq (i dënuar më parë për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”).
Këta shtetas janë kapur nga shërbimet e Policisë, në afërsi të fshatit Cerje, Pustec, në kufirin e gjelbër me Greqinë, me dy çanta shpine, brenda të cilave u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 21 kg e 500 gr. lëndë e dyshuar narkotike kanabis, e ndarë në pako, sasi të cilën këta shtetas po tentonin ta trafikonin në drejtim të Greqisë.
Nga ana e Policisë po punohet për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore edhe të personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë.