Operacioni pas hetimeve intensive, zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë.
Vihen në pranga edhe 4 shtetas dhe sekuestrohen 72 kilogramë të tjera lëndë e dyshuar narkotike kanabis.
Shkon në 16 numri i të ndaluarve dhe në 445, 5 kilogramë lëndë narkotike kanabis e sekuestruar në kuadër të këtij operacioni, për goditjen e një grupi kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike në drejtim të shtetit grek, shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Korçë dhe Devoll, Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe Forcat e Posaçme “Shqiponjat”, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, në vijim të operacionit policor “Restart”, nisur pesë muaj më parë, kanë finalizuar me sukses fazën e gjashtë të tij, si rezultat i së cilës u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– K. S., 35 vjeç, banues në fshatin Miras, Devoll.
– B. S., 38 vjeç, banues në fshatin Miras, Devoll.
– B. K., 26 vjeç, banues në fshatin Miras, Devoll.
– I. C., 30 vjeç, banues në fshatin Çetë, Devoll.
Shërbimet e policisë, në bazë të informacioneve të grumbulluara se shtetasit e mësipërm në bashkëpunim mes tyre, do të transportonin një sasi droge, organizuan punën dhe bënë lokalizimin e mjetit tip “Mercedes-Benz”, në afërsi të hyrjes së fshatit Miras, Devoll, me drejtues shtetasin K. S. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 65 pako, me peshë totale 69 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.
Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 35-vjeçarit, iu gjetën e sekuestruan edhe 3 kg të tjera lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe një sasi municioni luftarak.
Nga veprimet e mëtejshme hetimore, rezultoi se bashkëpunëtorë në këtë aktivitet kriminal, janë edhe shtetasit B. S; B. K. dhe I. C.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe i municionit”.