Kontrolle blic në qarkun e Kukësit, për goditjen e paligjshmërisë, kapjen e personave në kërkim dhe të atyre që qarkullojnë me sende të kundërligjshme.
Si rezultat i kontrolleve është kapur dhe vënë në pranga një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Në vijim të kontrolleve blic në të gjithë qarkun e Kukësit, për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, për kapjen e personave në kërkim dhe të atyre që qarkullojnë me sende të kundërligjshme, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tropojë bënë kapjen dhe arrestimin provizor të shtetasit në kërkim ndërkombëtar P. Ç., 33 vjeç, banues në fshatin Shoshan, Tropojë.
Arrestimi i tij u bë me qëllim ekstradimi drejt Kosovës, pasi Gjykata Themelore Gjakovë, Kosovë, me vendimin e datës 06.04.2021, i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese kosovare, vijon puna për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Kosovës.