Kapet një shtetas i shpallur në kërkim, për ngjarjen e ndodhur më datë 13.05.2019, në Pogradec, ku në mjetin e tij , Policia gjeti dhe sekuestroi 25 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kolonjë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit në kërkim:
E.J, 38 vjeç, banues në fshatin Selenicë, Kolonjë.
Shtetasi i mësipërm, ishte shpallur në kërkim lidhur me ngjarjen e ndodhur më datë 13.05.2019, ndodhur në vendin e quajtur “Enkelana”, Pogradec, i cili për të shmangur kontrollin policor, është larguar me shpejtësi dhe ka braktisur mjetin e tij tip “Benz” në afërsi të fshatit Udënisht.
Gjatë kontrollit të automjetit shërbimet policore kanë gjetur në bagazh, një sasi prej 25 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis.
Ndaj 38-vjeçarit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.