Klos, Dibër
Finalizohet operacioni policor i koduar “Pritja”, për goditjen e një rasti të tentativës për shitje të drogave të forta.
Po priste për t’i shitur një shtetasi, një sasi lënde narkotike kokainë, kapet dhe vihet në pranga 36-vjeçari kosovar, me banim në Tiranë.
Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale, një pako me lëndë narkotike kokainë.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personit që do të blinte lëndën narkotike.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e tentativave për shpërndarje të lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e siguruara, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Pritja”.
Në kuadër të operacionit, në Rrugën e Arbërit, në qytetin e Klosit, shërbimet e Policisë kanë konstatuar, kapur dhe arrestuar shtetasin L. H., 36 vjeç, lindur në Kosovë dhe banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit të automjetit, shërbimet e Policisë kanë gjetur një pako me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, të cilën ky shtetas po priste t’ia shiste një shtetasi me të cilin kishte bërë marrëveshje më parë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personit që do të blinte lëndën narkotike.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.