Kavajë
Vijojnë kontrollet në vijën bregdetare, në vijim të operacionit policor të koduar “Plazhi i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave publike.
Lirohet një hapësirë në plazhin e Vilë Bashtovës, që ishte zënë në mënyrë të paligjshme.
Sekuestrohen 69 komplete me çadra dhe shezlongë.
Procedohet penalisht 1 shtetas.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në kuadër të plan-operacionit “Plazhi i lirë”, kanë vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike që zihen pa lejen përkatëse nga subjektet në bregdet, duke vënë çadra dhe shezlongë.
Gjatë kontrolleve, në një hapësirë publike në plazhin e Vilë Bashtovës u hoqën dhe u sekuestruan 69 komplete me çadra dhe shezlongë, që ishin vënë në mënyrë të paligjshme nga shtetasi A. A.
Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. A., 52 vjeç, banues në Rrogozhinë.
Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike, për pushuesit, dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror.