Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kanë identifikuar dhe arrestuar 3 shtetas të dyshuar si autorë të zjarreve që përfshinë sipërfaqe të mëdha toke me pemë frutore, në fshatrat Peqinaj, Kavajë dhe Zhabjak, Rrogozhinë.
Pas marrjes së njoftimit se mbrëmjen e djeshme, në këto zona kishte rënë zjarr, forcat e policisë shkuan menjëherë në vendngjarje.
Falë veprimeve të shpejta hetimore, u bë e mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i shtetasve F. P., banuese në Peqinaj, R. M, banues në Zhabjak dhe J. M., banuese në Zhabjak.
Nga hetimet rezultoi se gjatë djegies së mbeturinave në tokat e tyre, zjarri ka dalë jashtë kontrollit, duke përfshirë një sipërfaqe të madhe me pemë frutore dhe duke shkaktuar djegien e një banese të pabanuar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe banorët e zonave rurale që të mos ndezin zjarre për djegien e mbeturinave ose mbetjeve bujqësore, si dhe të shmangin hedhjen e cigareve të ndezura pranë sipërfaqeve të pyllëzuara, për të parandaluar rreziqe të tilla për jetën dhe pronën.