Kapshticë/Korçë – Finalizohet operacioni antikontrabandë i koduar “Cross Border”

Vihen në pranga 3 shtetas, njëri prej tyre doganier në Pikën Doganore Kapshticë.

Sekuestrohen sasi të konsiderueshme karburanti, vaj mjetesh dhe vaj ushqimor, medikamente mjekësore, prodhime letre dhe pleh kimik.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e kontrabandës me mallra, pas një hetimi disajavor, finalizuan operacionin e koduar “Cross Border”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– Xh. H., 57 vjeç, banues në Ersekë;

– F. A., 54 vjeç, banues në fshatin Mollas, Kolonjë;

– K. P., 41 vjeç, banues në Korçë (me detyrë doganier në Pikën Doganore Kapshticë).

Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, se në një autobus të linjës Greqi-Shqipëri, do të transportoheshin mallra të dyshuara kontrabandë, u organizuan shërbimet e Policisë, të cilat bënë ndalimin e mjetit, në afërsi të fshatit Dishnicë, Korçë. Gjatë kontrollit të ushtruar në autobusin e shtetasit Xh. H., me faturino shtetasin F. A., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasi të konsiderueshme karburanti (nafte), medikamente mjekësore, prodhime letre, pleh kimik, vaj ushqimor dhe vaj automjetesh, mallra për të cilat shtetasit e mësipërm nuk kishin kryer detyrimet doganore.

Gjithashtu, nga hetimet e kryera dyshohet se shtetasi K. P., me detyrë doganier, ka shpërdoruar detyrën, duke mos kryer procedurat për zhdoganimin e këtyre mallrave.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.