Kamëz
Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 2”.
Goditet nga Komisariati i Policisë Nr. 5, një rast i shitjes së lëndëve narkotike, në doza, afër një shkolle profesionale, në Kamëz.
Sekuestrohen doza lënde narkotike kanabis, gati për shitje, pako me letra që shërbejnë për konsumimin e lëndës narkotike dhe 3 mjete prerëse.
Vihet në pranga 20-vjeçari që kryente këtë veprimtari kriminale.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli 2”, pasi kanë siguruar informacion se një shtetas shiste lëndë narkotike kanabis, në doza, kanë organizuar punën për kapjen dhe vënien e tij, përpara përgjegjësisë penale.
Si rezultat, në rrugën “OSBE”, u kap dhe arrestua në flagrancë shtetasi K. H., 20 vjeç, banues në Kamëz.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas e siguronte lëndën narkotike në sasi dhe më pas e ndante në doza, të cilat i shiste në afërsi të një shkolle profesionale, në Kamëz.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan doza me kanabis, pako me letra për përdorimin e lëndës narkotike dhe 3 mjete prerëse, që iu gjetën 20-vjeçarit, gjatë kontrollit fizik.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.