Interpol Tirana – Ekstradohet nga Frankfurt/Gjermani, drejt vendit tonë, shtetasi shqiptar Genc Tafilaj

Vijon bashkëpunimi me homologët, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Falë bashkëpunimit të Interpol Tirana me homologët e Wiesbaden/Gjermani, u krye ekstradimi nga Frankfurt/Gjermani, drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar Genc Tafilaj, 43 vjeç, lindur në Shkodër.
Shtetasi Genc Tafilaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, më datë 05.08.2021, pasi Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin e datës 17.05.2021, ka vendosur ndryshimin e vendimit të datës 16.11.2017, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë dhe rrëzimin e kërkesës së kërkuesit (të dënuarit) Genc Tafilaj, për lirimin me kusht.
Shtetasi Genc Tafilaj është dënuar me 25 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja e punonjësit të policisë të rendit publik” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
Shtetasi Genc Tafilaj ka kryer një pjesë të dënimit në burg, në Shqipëri, dhe i kanë ngelur për të kryer edhe 6 vjet burgim.
Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:
Më datë 02.08.2000, në Shkodër, shtetasi Genc Tafilaj, në bashkëpunim me babanë e tij, ka vrarë me armë zjarri Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër të asaj kohe, Arben Zylyftari.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Wiesbaden/Gjermani, u bë i mundur arrestimi i tij në Gjermani, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.