Interpol Tirana/Ekstradohen 3 shtetas

Interpol Tirana/Bashkëpunim konsistent me partnerët, për të nxjerrë përpara drejtësisë, shtetasit e kërkuar ndërkombëtarisht.

✅️Ekstradohen në Shqipëri, 2 shtetas të dënuar me burgim, për falsifikim dokumentesh, në funksion të një grupi kriminal në qarkun Lezhë, ose për kundërshtim të punonjësve të Policisë.

✅️Ekstradohet nga Shqipëria, 1 shtetas i dënuar në Firence, me 7 vjet burgim, për trafikim të lëndëve narkotike.

Si rezultat i koordinimit të punës dhe veprimeve operacionale, ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të Interpol Romës dhe Interpol Wiesbaden, u finalizuan tri procedura ekstradimi.

-U ekstradua nga Italia, shtetasi Emanuel Gjura, i dënuar nga Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në vitin 2022, me 6 vjet burgim, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe për veprën penale “Shpërdorimi i tokës”, kryer në bashkëpunim.

Ky shtetas, nëpërmjet detyrës si noter që mbante në vitin 2017, falsifikoi dokumente, që grupi kriminal ku bënte pjesë, të përfitonte ilegalisht, prona me vlerë 55 milionë euro, në qarkun Lezhë. Gjithashtu, ai i tjetërsoi disa nga këto prona, për të pastruar paratë e grupit.

-U ekstradua në Itali, shtetasi Agron Lamaj alias Aglon Lamaj, 55 vjeç, pasi Gjykata e Apelit e Firences, rreth 1 vit më parë, e ka dënuar me 7 vjet burgim, për trafikim të lëndëve narkotike.

-U ekstradua nga Gjermania, shtetasi L. H., 33 vjeç, i dënuar në korrik të këtij viti, nga Gjykata e Apelit, me 1 vit e gjysmë burgim, pasi në vitin 2016, kundërshtoi punonjësit e Komisariatit të Policisë Nr. 6, gjatë përmbushjes së detyrave funksionale.