Inspektor Ahmet Shahini merr Certifikatën e Karrierës, me rastin e daljes në pension

Komisariati i Policisë Mat

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka akorduar “Certifikatën e Karrierës” për Inspektor Ahmet Shahinin, ndihmës-specialist në Sallën e Komandimit në Komisariatin e Policisë Mat, me rastin e daljes së tij në pension.

Ceremonia u zhvillua paraditen e sotme në ambientet e komisariatit, ku Zëvendësdrejtori për Rendin dhe Sigurinë Publike, Drejtues Dorian Muça dhe Shefi në detyrë i Komisariatit të Policisë Mat Kryekomisar Alfred Cenaj, i dorëzuan certifikatën e karrierës me motivacionin:
“Për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar në përmbushjen cilësore të detyrave dhe kontributin e dhënë gjatë viteve të punës në shërbim të Policisë së Shtetit.”

Zëvendësdrejtori Muça, në emër të Drejtorit të Përgjithshëm, të Drejtorit Vendor të Policisë dhe të kolegëve, shprehu mirënjohje të veçantë për kontributin e z. Shahini. Ai vuri në dukje se përvoja e tij 38-vjeçare, integriteti, profesionalizmi dhe sjellja shembullore kanë shërbyer si model frymëzimi për brezat e Policisë së Shtetit.

Po ashtu, u theksua roli i tij në forcimin e sigurisë dhe ndërtimin e një marrëdhënieje të besueshme me komunitetin.

Nga ana e tij, z. Shahini falënderoi drejtuesit dhe kolegët për mbështetjen dhe vlerësimin e treguar gjatë gjithë karrierës. Ai theksoi se certifikata përfaqëson një vlerësim të merituar për përkushtimin e tij shumëvjeçar dhe do ta ruajë me krenari, si një kujtim domethënës të rrugëtimit të tij në shërbim të Policisë së Shtetit.