Himarë
Policia Kufitare shpëton 3 shtetas që rrezikuan të mbyteshin në det pasi skafi i tyre pësoi defekt gjatë lundrimit.
Mbrëmjen e djeshme, pas njoftimit të marrë nga Salla Operative e DRKM Vlorë, shërbimet e Policisë Kufitare organizuan menjëherë punën për t’i shkuar në ndihmë një mjeti lundrues skaf në zonën Grame-Brisanit.
Pas kërkimeve, u bë i mundur lokalizimi i skafit që kishte pësuar defekt teknik dhe po përmbytej. Në bord ndodheshin 3 shtetas, të cilët u morën dhe u shoqëruan me mjetin lundrues të Policisë Kufitare, drejt bregut, në gjendje të mirë shëndetësore.
Falë reagimit të menjëhershëm dhe profesionalizmit të shërbimeve të Policisë Kufitare, u sigurua shpëtimi i këtyre 3 shtetasve, të cilët i falënderuan shërbimet e Policisë, për ndihmën që iu dhanë.
Pavarësisht përpjekjeve të shërbimeve të Policisë Kufitare për ta tërhequr dhe për ta nxjerrë skafin në breg, ai u fundos në det.
Policia Kufitare mbetet e angazhuar 24/7 në shërbim të qytetarëve dhe turistëve. Ftojmë çdo qytetar që, në rast nevoje apo emergjence në det, të telefonojë menjëherë në 112.