Vodhi automjetin e një shtetasi dhe u largua me shpejtësi, kapet pas disa minutash ndjekjeje nga Policia, 40-vjeçari me precedent kriminal në fushën e vjedhjeve.
Sekuestrohen 2 automjete.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Himarë, në bashkëpunim me shërbimet e DVKM Vlorë, për vjedhjen e një automjeti tip “Suzuki”, në Llaman, Himarë, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Swift”.
Në kuadër të këtij operacioni, u kap dhe u arrestua pas disa minutash ndjekjeje nga shërbimet e Policisë, shtetasi F. M., 40 vjeç, banues në Tiranë, i cili nga verifikimet rezulton shtetas me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e vjedhjeve.
40-vjeçari, pasi ka vjedhur automjetin tip “Suzuki”, në pronësi të shtetasit L. V., në vendin e quajtur “Llaman”, është larguar me shpejtësi, në aksin rrugor “Himarë-Sarandë”. Shërbimet e Policisë janë vënë menjëherë në ndjekje të këtij shtetasi, dhe pas disa minutash, kanë bërë të mundur kapjen e tij.
Automjeti i vjedhur, së bashku me një automjet tjetër, që dyshohet se përdori 40-vjeçari për t’iu afruar vendit ku kreu vjedhjen, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.