Himarë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Midnight”, në fushën e vjedhjes së pasurisë.
Vihet në pranga autori i disa vjedhjeve në Himarë, në ambientin ku qëndronte, i gjenden granata dore, sende të vjedhura, si dhe veshje e doreza të përdorura gjatë vjedhjeve.
Arrestohet edhe një 27-vjeçare, e cila nuk kallëzoi krimin.
Në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e vjedhjes së pronës, dhe falë veprimeve të mirëorganizuara hetimore të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Himarë, u finalizua operacioni policor i koduar “Midnight”, si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
•S. G., 46 vjeç, banues në Tiranë.
Shtetasi S. G. u kap në flagrancë në orët e para të mëngjesit të datës 25.05.2025, pasi kishte vjedhur tre aparate celularë dhe një shumë parash, në ambientet e një kompleksi me apartamente pushimi, në Himarë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientin ku qëndronte ky shtetas, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan: 10 granata dore luftarake, 6 aparate celularë dhe veshje e doreza të dyshuara të përdorura gjatë vjedhjeve.
Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi S. G. është autor edhe i dy vjedhjeve të tjera, të ndodhura më datë 07.05.2025 dhe 11.05.2025, përkatësisht në të njëjtin kompleks apartamentesh pushimi dhe në një banesë në lagjen “Livadh”, ku janë vjedhur aparate celularë dhe shuma parash prej 98000 lekë dhe 90000 lekë.
Në vijim të veprimeve, u arrestua për veprën penale “Moskallëzim i krimit”, edhe shtetasja D. Rr., 27 vjeçe, banuese në Vlorë, e cila qëndronte në një ambient me autorin e vjedhjeve, dhe dyshohet se ishte në dijeni të veprimtarisë kriminale dhe nuk e kallëzoi atë.
Vijon puna hetimore për dokumentimin e rasteve të tjera, ku ky shtetas dyshohet si autor.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme hetimore.
https://youtu.be/tQvD4sLMZCE