Hapet konkurrimi për pozicionin Drejtor i DRA
Në zbatim të Ligjit të Ri për Policinë e Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka nxjerrë urdhrin për thirrjen për pjesëmarrje në konkurrim, për përzgjedhjen e kandidatit të përshtatshëm që plotëson kriteret ligjore për pozicionin “Drejtor, në Drejtorinë e Rikuperimit të Aseteve”, në Policinë e Shtetit.
Faza e aplikimeve është e hapur në periudhën 05.12.2025 ora 08:00 deri më datën 19.12.2025 ora 14:00.
Ka të drejtë të aplikojë për pozicionin “Drejtor, në Drejtorinë e Rikuperimit të Aseteve”, në Policinë e Shtetit, punonjësi i policisë, i cili mban njërën nga gradat e rolit të mesëm drejtues dhe që nuk ka konflikt interesi në ushtrimin e detyrës, në përputhje me legjislacionin për konfliktin e interesit.
Kandidati duhet të paraqesë së bashku me kërkesën për shprehjen e interesit, çdo dokumentacion tjetër provues për çdo komponent vlerësimi të përcaktuar në këtë urdhër, pranë sekretarisë së Drejtorisë së Burimeve Njerëzore. Mosparaqitja e dokumentacionit provues përbën shkak për mosvlerësimin e kandidatit për komponentin përkatës.
Çdo punonjës që shpreh interesin për të konkurruar për pozicionin “Drejtor, në Drejtorinë e Rikuperimit të Aseteve”, në Policinë e Shtetit, duhet të dorëzojë pranë Komisionit të Vlerësimit të Aplikimeve (në vijim KVA), në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, dokumentacionin që është pasqyruar në webin e brendshëm të Policisë së Shtetit, ku kanë akses të gjithë punonjësit e Policisë për t’u njohur.
Policia e Shtetit fton punonjësit e saj që mbajnë njërën nga gradat e rolit të mesëm drejtues, të aplikojnë dhe të konkurrojnë për këtë pozicion, duke i garantuar për një proces vlerësimi të drejtë, transparent dhe profesional.
