Policia e Shtetit, ftesë për maturantët që të aplikojnë për studimet “Bachelor” në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit, në Akademinë e Sigurisë

THIRRJA PËR APLIKIM

 

Për ndjekjen e programit të studimit “Siguria dhe Hetimi”, cikli i parë “Bachelor”, në Akademinë e Sigurisë, për vitin akademik 2025–2026

Në mbështetje të:

  • Ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”;
  • Rregullores së Policisë së Shtetit, miratuar me VKM nr. 112, datë 24.02.2025;
  • Urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nr. 986, datë 08.07.2025, “Për hapjen e fazës së aplikimeve për konkurrim për ndjekjen e programit të studimit ‘Siguria dhe Hetimi’, cikli i parë ‘Bachelor’, në Akademinë e Sigurisë, për vitin akademik 2025–2026”;
  • VKM nr. 881, datë 28.10.2020 (i ndryshuar), “Për statusin e veçantë të Akademisë së Sigurisë si institucion i vetëm i arsimit të lartë në fushën e rendit dhe të sigurisë publike, si dhe për organizimin dhe funksionimin e saj”;
  • dhe akteve të tjera nënligjore në fuqi,

Policia e Shtetit dhe Akademia e Sigurisë shpallin hapjen e fazës së aplikimeve për ndjekjen e programit të studimit “Siguria dhe Hetimi”, cikli i parë “Bachelor”, pranë Fakultetit të Sigurisë dhe Hetimit, në Akademinë e Sigurisë, për vitin akademik 2025–2026.

Për këtë vit akademik janë miratuar 150 kuota të lira, të cilat janë të dedikuara për shtetasit që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë dhe që dëshirojnë të ndjekin këtë program studimi, me synim përgatitjen dhe formimin profesional për punësim në strukturat e Policisë së Shtetit, në rolin e parë drejtues.

KRITERET E PRANIMIT

Të drejtë aplikimi kanë shtetasit shqiptarë që plotësojnë të gjitha kriteret e mëposhtme:

  1. Të kenë shtetësi shqiptare.
  2. Të kenë zotësi të plotë për të vepruar.
  3. Të jenë në gjendje të mirë shëndetësore.
  4. Të kenë kryer arsimin parauniversitar brenda ose jashtë vendit, i njohur ose ekuivalentuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.
  5. Të mos jenë të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e një krimi apo kundërvajtjeje penale me dashje.
  6. Të kenë filluar procedurat për pajisjen me dëshmi të aftësisë për drejtimin e automjetit të tipit “B”.
  7. Të plotësojnë kriteret e besueshmërisë dhe integritetit.
  8. Të kenë notën mesatare të arsimit të mesëm të lartë jo më pak se 6.5.
  9. Të jenë në moshë jo më shumë se 30 vjeç në ditën e fillimit të vitit akademik.
  10. Të kenë gjatësinë trupore jo më pak se 170 cm për meshkuj dhe jo më pak se 160 cm për femra.
  11. Të mos jenë të përjashtuar nga Policia e Shtetit, struktura të tjera të sigurisë kombëtare, ose të kenë qenë larguar nga shërbimi civil.

AFATET DHE PROCEDURAT E APLIKIMIT

  1. Periudha e aplikimit online: 29 korrik – 03 gusht 2025.
  2. Aplikimi kryhet në portalin U-Albania, duke zgjedhur programin e studimit “Siguria dhe Hetimi”.
  3. Aplikantët duhet të shkarkojnë dokumentacionin e mëposhtëm nga faqja zyrtare e Policisë së Shtetit dhe ta dorëzojnë fizikisht në momentin e regjistrimit paraprak:
  4. Formularin e aplikimit;
  5. Kërkesën model tip;
  6. Formularin e vetëdeklarimit;
  7. Skedën shëndetësore të plotësuar nga qendra shëndetësore sipas vendbanimit;
  8. Fotokopje të kartës së identitetit;
  9. Certifikatë familjare.
  10. Regjistrimi dhe dorëzimi i dokumentacionit fillestar: 05 – 06 gusht 2025 pranë Akademisë së Sigurisë.
  1. Nëse gjatë verifikimit rezulton se aplikanti nuk plotëson kriteret, ai skualifikohet nga procesi dhe njoftohet me email mbi arsyet e skualifikimit.

PROCESI I VLERËSIMIT, TESTIMIT DHE KONTROLLIT

 

Aplikantët do t’i nënshtrohen një procesi vlerësimi dhe konkurrimi që përfshin:

Lloji i vlerësimit Pesha në total
Nota mesatare e shkollës së mesme 50% e vlerësimit të përgjithshëm (5 pikë për çdo notë)
Testi fizik 30% e vlerësimit të përgjithshëm
Intervista me gojë 20% e vlerësimit të përgjithshëm
Testi psikologjik Kalues/Jo kalues
Kontrolli shëndetësor I aftë/Jo i aftë
  • Testi fizik zhvillohet në datat 07 – 10 gusht 2025.
  • Intervista me gojë dhe testi psikologjik zhvillohen në datat 11 – 14 gusht 2025.
  • Kontrolli shëndetësor zhvillohet në datat 18 – 22 gusht 2025.

Përveç vlerësimeve të mësipërme, aplikantët i nënshtrohen edhe verifikimit të besueshmërisë, përfshirë krahasimin e gjurmëve daktiloskopike në sistemin “Afis/Apis Papilon 9”, sipas procedurave standarde të Policisë së Shtetit.

PUBLIKIMI I REZULTATEVE

  • Më datë 25 gusht 2025, Komisioni i Pranimit harton listën e rezultateve të aplikantëve dhe shqyrton vërtetimet e besueshmërisë dhe informacionet nga Instituti i Policisë Shkencore.
  • Më datë 26 gusht 2025, lista e renditjes publikohet në mjediset e Akademisë së Sigurisë dhe ngarkohet në portalin U-Albania, duke përdorur vetëm ID-në e Maturës për të ruajtur të dhënat personale.
  • Fitues shpallen vetëm aplikantët e renditur brenda 150 kuotave të shpallura.

 

ANKIMIMI

Për çdo fazë të procesit të përzgjedhjes, duke filluar nga momenti i shpalljes së thirrjes për aplikim e deri në shpalljen e rezultateve, kandidatët kanë të drejtë të paraqesin ankesa, të cilat shqyrtohen nga Komisioni i Apelimit, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Ankimet mbi rezultatet dorëzohen brenda datës 27 gusht 2025, në njërën nga mënyrat e mëposhtme:

  • fizikisht, pranë sekretarisë së Drejtorisë së Burimeve Njerëzore, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kundrejt protokollit të dorëzimit;
  • me postë, në adresën: Drejtoria e Burimeve Njerëzore, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit;
  • në formë elektronike, në adresën zyrtare të e-mailit: njerezore@asp.gov.al.

Komisioni i Apelimit shqyrton dhe vendos mbi ankesat në datat 28 – 29 gusht 2025.

Rezultatet përfundimtare të procesit shpallen më datë 29 gusht 2025.

 

REGJISTRIMI PËRFUNDIMTAR

  • Regjistrimi i aplikantëve fitues kryhet në periudhën 29 gusht – 11 shtator 2025.
  • Në momentin e regjistrimit, aplikantët duhet të dorëzojnë dokumentacionin shtesë që përfshin:
    • Certifikatë të gjendjes gjyqësore;
    • Diplomë dhe listë notash të noterizuar;
    • Vërtetim që është i regjistruar për marrjen e lejes së drejtimit të automjetit të tipit “B”;
    • Vërtetim nga gjykata që nuk është në proces gjykimi;
    • Vërtetim nga prokuroria që nuk është në ndjekje penale;
    • Vërtetim nga SPAK që nuk është objekt hetimi.

DETYRIMET E STUDENTËVE

  • Studentët e pranuar në Akademinë e Sigurisë do të nënshkruajnë një kontratë me institucionin, ku përcaktohen të drejtat dhe detyrimet gjatë shkollimit, si dhe detyrimi për të shërbyer jo më pak se 3 (tre) vite në strukturat e Policisë së Shtetit pas diplomimit.
  • Gjatë periudhës së studimeve, ata trajtohen sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave për pagat dhe shpërblimet për punonjësit e Policisë së Shtetit.

INFORMACION SHTESË

  • Të gjitha informacionet mbi thirrjen për aplikim, kriteret, dokumentacionin e nevojshëm, videot e testimit fizik dhe udhëzimet për procedurat do të publikohen në faqet zyrtare të Policisë së Shtetit dhe Akademisë së Sigurisë:

Ftohen të gjithë të rinjtë e interesuar që plotësojnë kriteret e mësipërme të aplikojnë brenda afateve të shpallura për të qenë pjesë e Akademisë së Sigurisë dhe për të ndërtuar një karrierë në shërbim të rendit dhe sigurisë publike!

 

Formularët model tip, mund ti shkarkoni në linqet e mëposhtme:

FORMULARI-I-APLIKIMIT-PER-PRANIM-NE-POLICI.docx

FORMULAR-VETDEKLARIMI-PER-PRANIM-DHE-RIKTHIM-NE-POLICI.docx

Kerkese-per-aplikim-per-fakultet.docx

SKEDA-MJEKESORE.rtf