HAPEN APLIKIMET PËR PRANIM NË NJË FUNKSION TË VEÇANTË NË POLICINË E SHTETIT

Hapen aplikimet për pranim në funksionin e veçantë në Policisë e Shtetit, Shef Sektori në Sektorin e Ekzaminimeve Kompjuterike dhe Audio-Video, në Institutin e Policisë Shkencore, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Aplikimet fillojnë më datë 18.06.2021 dhe përfundojnë më datë 22.06.2021.

Aplikimet bëhen në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore, në Departamentin për Shërbimet Mbështetëse, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Kriteret e pranimit në funksionin e veçantë “Shef Sektori në Sektorin e Ekzaminimeve Kompjuterike dhe Audio-Video, në Institutin e Policisë Shkencore”, janë:

  1. Të jetë shtetas shqiptar;
  2. Të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të sigurisë kombëtare, apo të jetë larguar nga shërbimi civil.”
  3. Të ketë përfunduar arsimin e lartë përkatës;
  4. Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
  5. Të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën;
  6. Të zotërojë gjuhën shqipe të shkruar dhe të folur;
  1. Të ketë përvojë pune jo më pak se 5 vjet profesionale;
  2. Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
  3. Të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B;
  4. Të mos ketë pengesa ligjore për tu pajisur me vërtetim besueshmërie;
  5. Të plotësojë kriteret e tjera të veçanta.

Kritere të veçanta:

  1. Kandidati që do të rekrutohet të ketë arsimin e lartë dhe diplomë “Master shkencor”, në shkencat Informatikë, Teknologji Informacioni dhe Elektronikë.
  2. Njohuri dhe aftësi të mira kompjuterike të demonstruara në lidhje me teknikat dhe metodikat që zbatohen në fushën e kryerjes së ekspertimeve kompjuterike;
  3. Aftësi për të identifikuar dhe vlerësuar nevojat për ndryshim dhe përmirësim të metodikave që zbatohen në fushën e kryerjes së ekspertimeve kompjuterike;
  4. Aftësi për të prezantuar qartë e profesionalisht produktet dhe idetë e tij profesionale;
  5. Të jetë i specializuar në fushën e ekspertimit kompjuterik si dhe të jetë i liçensuar nga kompanitë prodhuese të programeve dhe pajisjeve ekzaminuese që përdor sektori për kryerjen e ekspertimeve kompjuterike.
  6. Të kenë njohuri të gjuhës angleze (kjo e vërtetuar me diplomë), si edhe aftësi për komunikim të rrjedhshëm në këtë gjuhë.
  7. Të ketë njohuri të përgjithshme rreth objektit të punës të IPSH dhe të shërbimit të Policisë Shkencore.

Aplikanti të paraqesë, në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore, dokumentacionin e mëposhtëm:

  1. Formularin e aplikimit tip (bashkëlidhur këtij urdhri);
  2. Fotokopje të kartës së identitetit;
  3. Dokument zyrtar që vërteton përfundimin e arsimit, trajnimeve përkatëse;
  4. Fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”;
  5. Certifikatë e gjendjes gjyqësore;
  6. Certifikatë familjare;
  7. Vërtetim nga gjykata;
  8. Vërtetim nga prokuroria;
  9. Raport mjeko-ligjor;
  10. Fotokopje e librezës së punës;
  11. Dokument të lëshuar nga institucionet shëndetësore që vërteton se nuk është përdorues i lëndëve narkotike.

Punonjësi në funksionin e veçantë, “Shef Sektori, në Sektorin e Ekzaminimeve Kompjuterike dhe Audio-Video, në Institutin e Policisë Shkencore”, kryen këto detyra specifike:

  1. Menaxhon aktivitetin e Sektorit të Ekzaminimeve Kompjuterike dhe Audio-Video për kryerjen e ekzaminimeve kompjuterike, në përputhje të plotë me dispozitat ligjore dhe procedurat e miratuara;
  2. Organizon dhe ndjek kryerjen e ekspertimeve në Sektorin e Ekzaminimeve Kompjuterike dhe Audio-Video;
  3. Kryen ekspertime kompjuterike dhe jep shpjegimeve në lidhje me aktet e kryera në gjykatë;
  4. Përgatit studime, analiza e përgjithësime për veçoritë e zbatimit të metodave shkencore e mjeteve teknike kriminalistike për ekzaminimet e kompjuterëve, telefonave celularë video regjistruese e provave të tjera digjitale, për zbulimin e ngjarjeve kriminale;
  5. Studion përvojën dhe arritjet shkencore në fushën e ekspertimeve kompjuterike, për aplikimin e metodave bashkëkohore në luftën kundër kriminalitetit;

Në përfundim të procesit të verifikimit paraprak, Drejtoria e Burimeve Njerëzore, të hartojë listën emërore të aplikantëve që plotësojnë kriteret për pranimin në funksionin e veçantë të policisë, “Shef Sektori, në Sektorin e Ekzaminimeve Kompjuterike dhe Audio-Vidio, në Institutin e Policisë Shkencore”, si dhe të njoftojë aplikantët 7 ditë para datës së konkurrimit.

Procesi i konkurrimit përfshin:

  1. Jetëshkrimi i aplikantit,

Vlerësimi i arsimimit dhe trajnimeve të lidhura me veprimtarinë në fushën e aftësive në lidhje me teknikat dhe metodikat që zbatohen në fushën e kryerjes së ekspertimeve kompjuterike, si dhe referencat e punëdhënësve të mëparshëm (vlerësohet me 10 pikë);

  1. Testi me shkrim,

Kontrollin e njohurive të aplikantit në test me shkrim (vlerësohet me 60 pikë). Aplikanti që nuk arrin të marrë 40 pikë në testin me shkrim nuk i nënshtrohet vlerësimit në intervistën me gojë dhe ndërpret procesin e vlerësimit;

  1. Intervista me gojë,

Vlerësimi i njohurive dhe aftësive komunikuese, eksperiencë pune në lidhje me teknikat dhe metodikat që zbatohen në fushën e kryerjes së ekspertimeve kompjuterike, si dhe motivimin personal (vlerësohet me 30 pikë).

Në qoftë se asnjë kandidat nuk merr 60% të pikëve, Komisioni i Vlerësimit vendos përfundimin e konkurrimit pa asnjë fitues të përzgjedhur.

Formulari i aplikimit: https://we.tl/t-q0MwBBBA5L

Komisioni i Vlerësimit, në përfundim të procesit të vlerësimit, ka shpallur fitues për pranim në funskionin e veçantë Shef Sektori në Sektorin e Ekzaminimeve Kompjuterike dhe Audio-Video, në Institutin e Policisë Shkencore, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit:

Zotin Erald Astrit Miho.