Policia e Shtetit
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Gledis Nano priti ne një takim delegacionin e Policisë Federale gjermane, të kryesuar nga z. Mathias Schaef, Drejtor i Departamentit për Luftën Kundër Kriminalitetit, i cili po zhvillon një vizitë në Policinë e Shtetit në kuadër të projektit ndërkombëtar “SCOPE”.
Në fokus të takimit ishte lufta e përbashkët kundër krimit të organizuar, terrorizmit, pastrimit të parave, korrupsionit dhe sekuestrimit të aseteve të grupeve kriminale, që kanë burim veprimtaritë kriminale.
Nano dhe Schaef vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet Policisë shqiptare dhe asaj gjermane, bashkëpunim që konsiston në mbështetje logjistike, asistencë teknike, si dhe në zhvillime të operacioneve të përbashkëta për goditjen e krimit të organizuar.
Gjatë takimit u dakordësua që ky bashkëpunim të forcohet më tej, duke vendosur kontakte jo vetëm në nivele drejtuese por edhe në nivele zbatuese, me qëllim që të arrihet një bashkëpunim sa më i drejtpërdrejtë, për të hetuar dhe goditur në kohë, veprimtarinë kriminale të personave dhe grupeve kriminale që operojnë në fushën e krimit të organizuar, terrorizmit dhe pastrimit të parave.



