Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, së bashku me zv/drejtorin e Përgjithshëm Albert Dervishaj, mori pjesë, paraditen e sotme, në çeljen e kursit të trajnimit për fitimin e gradës “Drejtues i Parë”.
Në programin e trajnimit, u ftuan për të dhënë leksione, krahas pedagogëve të Akademisë së Sigurisë, edhe profesorët Ervin Karamuço dhe Fabian Zhilla, si akademikë dhe ekspertë të mirënjohur në çështjet e kriminologjisë dhe policimit. Angazhimin e tyre në këtë trajnim ata e kërkuan të ishte tërësisht vullnetar, me qëllimin thelbësor për të rritur më tej performancën e lidershipit në Policinë e Shtetit.
Drejtori i Përgjithshëm Gledis Nano, gjatë fjalës së tij në çeljen e trajnimit, theksoi se ky trajnim është shumë i rëndësishëm, pasi sado eksperiencë e dije të kemi apo sado profesionistë të jemi, përsëri secilit prej nesh do t’i duhet të reflektojë në vazhdimësi, thënien e vjetër, që i kushtohet punës në Polici: “Sikur ta dinim, atë që dimë”.
Nano: “Kam qenë dhe jam i mendimit dhe besoj fort se strukturat policore s’kanë nevojë për drejtorë në kuptimin formal të emërtimit, por koha na parashtron nevojën për të patur menaxherë të zotë, për të administruar strukturat në vartësi. Po kështu, duke marrë shkas nga situatat me të cilat përballen këto struktura, vërehet se ka nevojë për lider qarqesh, pikërisht nga ata drejtues që pranojnë dhe shpalosin vizionin bashkëkohor të zhvillimit dhe modernizimit në Polici e që përcjellin besim, siguri, humanizëm e drejtësi.
Në këto momente, kur tashmë kemi hedhur disa hapa të sigurtë, në këtë klimë zhvillimesh dhe reformash që po ndërmarrim bashkërisht, jam i vendosur për të shkrirë principet dhe kontributet e shoqërisë civile me ato policore, pasi dua që qytetarët të shikojnë te Policia e Shtetit, te çdo punonjës i saj, besimin e ndërsjelltë, engjëllin mbrojtës, njeriun human, policin korrekt e të fortë përballë krimit dhe garantin më të mirë të mbrojtjes dhe zbatimit të ligjit”.
Pedagogët, njëkohësisht përfaqësues të shoqërisë civile, z. Zhilla dhe z. Karamuço, gjatë fjalës së tyre falënderuan Drejtorin e Përgjithshëm Gledis Nano, për ftesën dhe për këtë qasje të re.
Karamuço: “Është shumë e lehtë të flasësh në distancë apo në media, në lidhje me Policinë e Shtetit, por është shumë më e ndershme dhe më profesionale kur këto fjalë i bashkëbisedojmë dhe i shkëmbejmë edhe me akademikë, ballë për ballë, kështu që është mundësia që të gjithë së bashku të arrijmë një emërues të përbashkët në lidhje me një vizion të ri të Policisë së Shtetit, për të përmirësuar më shumë performancën e saj. Vlen të theksohet se këtë vizion po e shpalos Drejtori i Policisë, z. Gledis Nano, vizion i cili duhet të përqafohet nga e gjithë organizata, me qëllim që të ketë më shumë mbështetje edhe nga qytetarët e nga shoqëria civile.”