Gjirokastër/Punonjësit e Policisë dhe shërbimet zjarrfikëse ndihmojnë 3 shtetas që kishin mbetur të bllokuar në mal

Gjirokastër/Punonjësit e Policisë dhe shërbimet zjarrfikëse iu shkojnë në ndihmë 3 shtetasve që kishin mbetur të bllokuar në malin mbi fshatin Ndëran, Zagori. Gjatë eksplorimit të zonës, njëri prej tyre kishte rënë në përrua dhe e kishte të pamundur lëvizjen.

Salla operative e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër ka marrë njoftimin se në malin mbi fshatin Ndëran, njësia administrative Zagori, 3 shtetas, duke eksploruar me këmbë zonën, kishin mbetur të bllokuar pasi njëri prej tyre ishte rrëzuar në përrua.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër dhe të Stacionit të Policisë Dropull-Libohovë, në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse, emergjencat civile dhe me ekipin mjekësor, u nisën në drejtim të zonës ku kishin mbetur të bllokuar 3 shtetasit. Shtetasi 70 vjeç që kishte rënë në përrua u nxorr nga aty në gjendje të mirë shëndetësore, iu dha ndihma e parë dhe më pas u transportua për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Gjirokastër.

3 shtetasit falënderuan shërbimet e Policisë dhe shërbimet e tjera, për përkushtimin dhe humanizmin e treguar, si dhe për ndihmën e dhënë në kohë rekord.

Policia e qarkut Gjirokastër është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve, dhe i fton ata që për çdo rast nevoje për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.