Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër
Parakaluan në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, në aksin “Tepelenë-Gjirokastër”, duke rrezikuar për përfshirje në ngjarje rrugore, identifikohen dhe procedohen me masa administrative bazuar në Kodin Rrugor, të dy drejtuesit e automjeteve.
Pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku një autobus dhe një autoveturë shfaqeshin duke kryer parakalim të rrezikshëm në aksin rrugor “Tepelenë-Gjirokastër”, Policia Rrugore e Gjirokastrës kreu verifikime të menjëhershme dhe identifikoi drejtuesit e mjeteve.
Nga verifikimet rezultoi se drejtuesi i autobusit të një agjencie udhëtimesh dhe drejtuesi i autoveturës, kishin kryer parakalim të gabuar, duke rrezikuar përdoruesit e tjerë të rrugës.
✅ Për këto shkelje:
Ndaj drejtuesit të autobusit u vendos masë administrative 12 000 lekë të rinj, pasi autobusi kishte targa të huaja.
Ndaj drejtuesit të autoveturës, u vendos masë administrative 12 000 lekë të rinj dhe zbritje e 10 pikëve nga leja e drejtimit.
Policia Rrugore e Gjirokastrës falënderon qytetarët dhe median për kontributin në evidentimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor dhe i fton ata të vijojnë të denoncojnë, pasi reagimi do të jetë i menjëhershëm, i paanshëm dhe konform ligjit.