DVP Gjirokastër/Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të aksidentit të ndodhur ditën e djeshme, si pasojë e të cilit humbën jetën 8 shtetas (drejtuesi i automjetit dhe 7 emigrantë nga Pakistani).
Identifikohen 3 shtetas që dyshohet se kanë bashkëpunuar me drejtuesin e automjetit për transportimin drejt Shkodrës, kundrejt pagesës, të 7 emigrantëve të cilët synonin kalimin e paligjshëm të kufirit.
Vihen në pranga 2 nga këta shtetas, punohet për kapjen e tjetrit (organizatori i kësaj veprimtarie kriminale).
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen e rrethanave të aksidentit të ndodhur ditën e djeshme, në aksin rrugor “Këlcyrë-Përmet”, si pasojë e të cilit humbën jetën 8 shtetas, si dhe bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, në kuadër të një hetimi proaktiv për zbardhjen e linjës së trafikimit dhe kontrabandimit të emigrantëve, është dokumentuar se 7 shtetasit nga Vendet e Treta që humbën jetën nga ky aksident po transportoheshin nga drejtuesi i këtij automjeti, nga kufiri grek drejt kufirit të Shkodrës, kundrejt pagesës, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit. Nga këto veprime, të kryera nga strukturat e DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Sektorin e Trafiqeve në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH dhe me strukturat e DVP Shkodër, në drejtimin e Prokurorisë së Gjirokastrës, dyshohet se drejtuesi i automjetit, shtetasi E. B., po bashkëpunonte me 3 shtetas të tjerë, për transportimin e 7 emigrantëve nga Pakistani, të moshave 28-32 vjeç, 3 prej të cilëve janë identifikuar.
Në vijim të veprimeve për këtë rast, u identifikuan 3 shtetasit e përfshirë në këtë veprimtari kriminale:
A. Gj., 24 vjeç dhe R. D., 23 vjeç, të dy banues në Shkodër, të cilët u vunë në pranga në bashkëpunim me shërbimet e DVP Shkodër;
S. N., 23 vjeç, banues në Shkodër, i cili u shpall në kërkim, pasi dyshohet se kishte rolin e organizatorit në këtë veprimtari kriminale. Vijon puna për kapjen e këtij shtetasi.
Vijon puna edhe për identifikimin e 4 emigrantëve të tjerë që kanë humbur jetën nga aksidenti.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.