Gjirokastër – Goditen dy raste të tjera të tentativës për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit

Goditen dy raste të tjera të tentativës për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Si rezultat i shkëmbimit të informacionit, bashkëpunimit dhe koordinimit të veprimeve mes Policisë Kufitare të Kakavijës, FRONTEX-it dhe DVP Gjirokastër, vihen në pranga 2 persona që u kapën duke transportuar emigrantë të paligjshëm, kundrejt fitimit.

Sekuestrohen dy automjete dhe dy aparate celular.

Nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare Kakavijë dhe shërbimet e FRONTEX-it, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative u arrestua në flagrancë shtetasi H. M., 30 vjeç, banues në fshatin Lazarat, Gjirokastër.

Shtetasi H. M. u kap në afërsi të fshatit Bulo, duke transportuar me automjetin tip “Opel Corsa”, 11 emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit 200 euro për person.

Gjithashtu u arrestua në flagrancë shtetasi A. H., 33 vjeç, banues në Sarandë, i cili u kap në afërsi të fshatit Kakavijë, duke transportuar me mjetin tip “Benz”, 3 emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit 200 euro për person.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjete dhe dy aparate celular.

Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.