Gjirokastër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Marketing”.
Shiste online mallra të kontrabanduara, arrestohet 26-vjeçari.
Ai u kap në flagrancë, duke transportuar në banesën e tij, ku mbante mallrat, 30 parfume të kontrabanduara.
Procedohet penalisht, si bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale, babai i 26-vjeçarit.
Sekuestrohen mallrat (veshje, aksesorë, pajisje për celularë, parfume dhe kamera sigurie).
Si rezultat i një hetimi shtatëmujor, të ndjekur me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë së Gjirokastrës, për goditjen e një rasti të kontrabandimit të mallrave, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin “Marketing”.
Gjatë operacionit u vu në pranga shtetasi A. A., 26 vjeç, si dhe u procedua në gjendje të lirë babai i tij, shtetasi F. A., 51 vjeç, të dy banues në Gjirokastër.
26-vjeçari u kap në flagrancë, në aksin rrugor “Gjirokastër-Tepelenë”, duke transportuar me automjet, 30 parfume pa fatura blerjeje. Më tej, nga kontrolli në banesën e 2 shtetasve, u gjetën mallra të tjera, për të cilat ata gjithashtu nuk kishin fatura. Nga hetimet dyshohet se mallrat ishin kontrabanduar dhe mbajtur në banesë, me qëllim shitjen online.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme.