Gjermani/Ilir Proda takohet me disa përfaqësues të autoriteteve gjermane

Gjermani

Ilir Proda takohet me Ministrin e Brendshëm të Shtetit të North Rhine-Westphalia Herbert Reul, me Zv/Presidentin e Policisë Federale Gjermane Peter Beiderwieden, me Drejtorin e BKA-së Holger Münch dhe me Zëvendëspresidentin e Universitetit Gjerman të Policisë Uwe Marquardt.

Me rastin e zhvillimit të ceremonisë së diplomimit të masterit të Kryekomisar Emilijano Resulaj, në programin e studimit “Administrata Publike – Menaxhimi i Policisë”, të Universitetit Gjerman të Policisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Ilir Proda dhe delegacioni që e shoqëronte, morën pjesë në ceremoni, si dhe zhvilluan një sërë takimesh të rëndësishme në interes të forcimit të bashkëpunimit me partnerët gjermanë.

Gjatë takimit me Ministrin e Brendshëm Herbert Reul, me Zv/Presidentin e Policisë Federale Gjermane Peter Beiderwieden dhe me Drejtorin e BKA-së, Holger Münch, Drejtor Proda theksoi se Policia e Shtetit shqiptar e ka prioritar bashkëpunimin me Policinë gjermane dhe agjencitë ligjzbatuese, përsa i përket shkëmbimit të informacionit, skuadrave të përbashkëta hetimore dhe operacionale, si dhe punës së përbashkët të finalizuar me operacione të rëndësishme për goditjen e krimit të organizuar.

Proda: “Jam i bindur dhe shumë i fokusuar se vetëm duke bashkëpunuar mund të kemi sukses. Krimi po bashkëpunon gati në mënyrë globale dhe për ta luftuar duhet bashkëpunim global. Kemi një qëllim, një mision dhe s’ka asnjë arsye pse të mos punojmë bashkërisht për të bërë më të mirën për qytetarët e vendeve tona.”

Ministri i Brendshëm, Zv/Presidenti i Policisë Federale Gjermane dhe Drejtori i BKA-së, gjatë takimeve me Drejtor Prodën, kanë vlerësuar rezultatet e Policisë së Shtetit, kohët e fundit, në luftë kundër krimit të organizuar dhe e kanë siguruar atë për thellim të bashkëpunimit në të ardhmen.

Drejtor Proda mori pjesë dhe në ceremoninë e diplomimit të Kryekomisar Emilijano Resulaj, ku gjatë ceremonisë, në emër të Policisë shqiptare, theksoi:
“Është nder për Policinë Shqiptare që në Universitetin e Policisë Gjermane të studiojnë dhe të diplomohen oficerë të Policisë së Shtetit. Gjithashtu, Policia Shqiptare ka reformuar Akademinë e Sigurisë, në formë dhe përmbajtje, duke u binjakëzuar me shumë akademi të sigurisë europiane dhe amerikane, pasi ne e çmojmë shumë të rëndësishëm shkollimin dhe trajnimet e vazhdueshme të punonjësve të Policisë së Shtetit.”

Zëvendëspresidenti i Universitetit Gjerman të Policisë Uwe Marquardt theksoi gatishmërinë për të bashkëpunuar me Akademinë e Sigurisë dhe Policinë e Shtetit, për të pasur më shumë oficerë të Policisë shqiptare në trajnime e studime master në Universitetin e Policisë Gjermane, por dhe anasjelltas, si dhe për të shkëmbyer eksperienca mes dy institucioneve.